“Të dashur qytetarë! Reshjet e pandërprera të borës nga mëngjesi i sotëm po shkaktojnë vështirësi në qarkullimin rrugor, megjithëse që nga mëngjesi të gjitha kompanitë e kontraktuara të Komunës së Ferizajt për pastrimin e rrugëve nga bora janë në terren me të gjitha kapacitetet dhe makineritë e tyre. Vështirësi për të operuar në pastrimin e rrugëve nga bora, po paraqesin edhe numri i madh në qarkullim i veturave veçanërisht në qytet, por megjithatë ekipet përkatëse po intervenojnë vazhdueshëm në mirëmbajtjen e rrugëve”, thuhet në njoftimin e komunës.
Tutje, komuna ka bërë të ditur se asnjë aks rrugor në Ferizaj nuk është i pakalueshëm apo bllokuar.
“Nga raportimet e terrenit, ndonëse me vështirësi të caktuara, asnjë aks rrugor në Ferizaj nuk është i pakalueshëm apo bllokuar. Reshjet e borës po bien pa ndërprerë, me intensitet të shtuar si në gjithë vendin, reshje që pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes së sontme, andaj apelojmë tek ngasësit e veturave dhe qytetarët që të shtojnë kujdesin në qarkullimin rrugor si dhe të shmangin frekuentimin në zonat malore ku mund të paraqiten rreziqe eventuale”, thuhet në njoftimin e komunës.