Minisistria e Infrastrukturës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka rregulluar shtratin e lumit Lepenc, pas rehabilitimit të tij në kuadër të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”. Me këtë rast, lumi është pasuruar edhe më peshq të llojit troftë, transmeton Koha.net. Ministri i MI-së, Pal Lekaj tha se akti i sotëm është shembull i mirë për qytetarët se si duhet ta trajtojmë ambientin duke e mbajtur të pastër atë. Ai shtoi se krahas projekteve gjigante infrastrukturore, MI-ja është e përkushtuar që të mos e degradojë natyrën, por të ndihmojë në rehabilitimin e saj sa herë që ka nevojë. Ndërsa ministri i MPMH-së, Fatmir Matoshi, kërkoi që të vazhdohet puna në ruajtje të këtij lumi, por edhe të të tjerëve. “Shtrati i lumit “Lepenc” në gjatësi prej gjashtë kilometrash është i trajtuar me materiale natyrore të zonës, kurse që nga rehabilitimi i tij është vërejtur rikthim i florës dhe faunës së kësaj zone. Njëkohësisht lumi është pastruar nga mbeturinat dhe mbetjet urbane që ishin prezente para fillimit të punimeve”, thuhet në komunikatë.​